19 June 2026
Ky vlerësim preleminar i llojeve endemike të faunës në Kosovë, është bazuar në të dhëna nga literatura shkencore, Libri i Kuq i Faunës, Udhëzimin Administrativ MEA – Nr.12/2020 për Llojet e Mbrojtura dhe Strikt të Mbrojtura, publikime relevante akademike si dhe hulumtimeve në terren. Qëllimi i këtij studimi është identifikimi dhe sistematizimi i llojeve endemike me shpërndarje të kufizuar në territorin e Kosovës, duke kontribuar në përmirësimin e njohurive mbi biodiversitetin dhe në mbështetjen e masave të ardhshme të konservimit.
Vlerësimi është realizuar nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës në bashkëpunim me Depertamentin e Biologjisë të Universitetit të Prishtinës, dhe synon të shërbejë si bazë për vlerësime të mëtejshme shkencore dhe institucionale.
Kosova përmban disa lloje endemike të faunës, sidomos insekte ujore dhe merimanga, të cilat janë përshkruar dhe identifikuar në vitet e fundit, duke dëshmuar pasurinë e lartë biologjike të vendit. Këto specie përfaqësojnë një vlerë të rëndësishme natyrore të Kosovës dhe kërkojnë mbrojtje të veçantë për ruajtjen e tyre për brezat e ardhshëm.
Rezultatet tregojnë se fauna endemike e Kosovës është e lidhur ngushtë me habitatet malore, ekosistemet ujore dhe zonat e ruajtura natyrore, të cilat paraqesin strehë të rëndësishme për mbijetesën dhe zhvillimin e shumë llojeve me shpërndarje të kufizuar. Veçanërisht lumenjtë, burimet ujore, liqenet, shpellat dhe pyjet malore kanë rëndësi të madhe ekologjike, pasi ofrojnë kushte specifike për një numër të konsiderueshëm organizmash endemikë.
Shumë prej këtyre llojeve janë të ndjeshme ndaj ndryshimeve antropogjene, përfshirë fragmentimin e habitatit, shpyllëzimin, ndotjen e ujërave, degradimin e ekosistemeve natyrore dhe ndikimet klimatike. Këta faktorë paraqesin kërcënime serioze për ruajtjen afatgjatë të biodiversitetit endemik dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e popullatave të tyre.
Krahasuar me studimet e mëparshme, vërehet një përmirësim në dokumentimin e disa grupeve taksonomike, megjithatë ende ekzistojnë boshllëqe të konsiderueshme në të dhëna, veçanërisht për grupet invertebrore dhe organizmat e lidhur me habitatet ujore e nëntokësore. Kjo tregon nevojën për hulumtime të vazhdueshme shkencore, monitorim sistematik në terren dhe forcim të masave të konservimit, me qëllim të mbrojtjes së diversitetit biologjik dhe ruajtjes së vlerave unike natyrore të Kosovës.
Për më shumë shihni Vlerësimin Preliminar të Llojeve Endemike të Faunës në Kosovë