26 June 2026
Sot, me 26.06.2026, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Marrëveshja u nënshkrua nga nënkryetari i ASHAK-ut, akademik Fejzullah Krasniqi dhe drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, z. Armend Agushi.
Ky bashkëpunim synon forcimin e lidhjeve institucionale dhe shkencore në fushat që lidhen me monitorimin hidrometeorologjik, mbrojtjen e mjedisit, ndryshimet klimatike, menaxhimin e të dhënave mjedisore dhe zhvillimin e hulumtimeve të përbashkëta me rëndësi për vendin.
Nënshkrimi i marrëveshjes u mbështet fuqishëm nga kryetarja e ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka-Pula, si dhe nga ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, z. Afrim Berisha.
Në këtë akt morën pjesë edhe sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, anëtar korrespondent Enver Hamiti, si dhe MSc. Arbnora Nikolla, bashkëpunëtore në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit.
Përmes kësaj marrëveshjeje, ASHAK dhe IHMK hapin një kapitull të ri bashkëpunimi ndërinstitucional, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e ekspertizës dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në shërbim të shkencës, mjedisit dhe interesit publik.