26 June 2026
Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka realizuar një aksion për pastrimin e mbeturinave në disa zona të parkut, duke kontribuar në ruajtjen e mjedisit natyror dhe përmirësimin e cilësisë së hapësirave të frekuentuara nga vizitorët.
Ky aksion u realizua në kuadër të projektit “Formësimi i së Ardhmes së Regjionit të Bjeshkëve të Nemuna”, të zbatuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Drejtoria e Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, në bashkëpunim me CNVP dhe NACCON, me mbështetjen financiare të Fondacionit Gjerman për Mjedis (DBU). Aktiviteti synon të kontribuojë në mbrojtjen e natyrës, ruajtjen e biodiversitetit dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme mjedisore në rajonin e Bjeshkëve të Nemuna.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për mbrojtjen e ekosistemit, menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave dhe promovimin e përgjegjësisë qytetare ndaj natyrës. Përmes këtij aksioni, janë larguar sasi të konsiderueshme mbeturinash nga zona të ndryshme të parkut, duke ndikuar drejtpërdrejt në ruajtjen e biodiversitetit dhe në përmirësimin e pamjes së mjedisit.
Ruajtja e pastërtisë së Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna mbetet një përgjegjësi e përbashkët. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë vizitorëve, komuniteteve lokale dhe dashamirëve të natyrës që të kontribuojnë në mbrojtjen e kësaj pasurie të çmuar natyrore. Veprimet e tilla jo vetëm që ndihmojnë në mbrojtjen e florës dhe faunës së parkut, por edhe krijojnë kushte më të mira për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe aktiviteteve rekreative.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Drejtoria e Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna do të vazhdojnë të organizojnë aktivitete të ngjashme në të ardhmen, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin publik dhe për të siguruar ruajtjen afatgjatë të vlerave natyrore që e bëjnë këtë park një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura në Kosovë.