27 June 2026
Ditëve të fundit në opinionin publik përmes mediave lokale të Prizrenit, dhe përmes rrjeteve sociale janë shpërndarë dezinformata në lidhje me punimet që po zhvillohen për vendosjen e laurave (rampave) në hyrje të territorit të Parkut Kombëtar Sharri. Të gjitha këto dezinformata bazohen në paragjykime dhe informata të pavërteta dhe të pakonfirmuara, me pretendimin që vendosja e laurave ka për qëllim aplikimin e pagesave hyrëse në Park dhe kufizimin e lëvizjes së banorëve dhe pronarëve në pronat e tyre.
MMPH, me qëllim të informimit të drejtë dhe të bazuar kërkon nga opinioni i gjerë e sidomos nga banorët që jetojnë në zonën e Parkut Kombëtarë “Sharri”, që të mos të bien pre e këtyre disinformatave keqdashëse që nuk përkojnë me realitetin.
Vendosja e laurave në hyrje të PK Sharri bazohet në plane, legjislacion dhe praktikat e parqeve në vendet e zhvilluara dhe ndërlidhen me fuqizimin e kontrollit dhe monitorimit të zonës si dhe vendosjen e rendit dhe ligjit. Qëllimi i vendosjes së laurave nuk ka të bëjë me pagesa dhe kufizime të lëvizjes në pronat private siç është paraqitur në desinformata por kanë për qëllim parandalimin e ndërtimeve ilegale dhe veprimeve të tjera ilegale siç janë prerjet e pyjeve, gjuetia, transporti dhe tregtia e ndaluar.
Vendosja e laurave është një proces që ka filluar që në vitin 2020 me përgaditjet teknike dhe ka vazhduar në vitin 2024 me projektin e detajuar, në kuadër të zbatimit të dokumenteve strategjike dhe ligjore që e rregullojne menaxhimin e parkut dhe që përfshijnë Planin Hapësinorë për Parkun Kombëtarë “Sharri”, Planin Menaxhues për Parkun Kombëtarë “Sharri”, Rregulloren për Rendin e Brendshëm të Parqeve Kombatëre, Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës dhe akteve tjera ligjore dhe nënligjore.
Vendosja e laurave nuk do të paraqesë asnje pengesë për komunitetin lokal dhe nuk i kufizon lëvizjen në pronat private të pronarëve por përkundrazi do ofrojë atyre përparësi dhe mundësi për zhvillim lokal nga statusi i parkut por edhe përfitime të shumta si shfrytëzimi i pyjeve, kullotave, frutave pyjore, burimeve të ujit etj., pa asnjë kufizim dhe pa pagesë.
Andaj, DAPK Sharri, kërkon nga përfaqësuesit e komunitetit lokal që të marrin informatat e ofruara nga drejtoria lidhur me destinimin e laurave si informata zyrtare dhe të njoftojnë banorët dhe të kërkojnë nga ata që të mos bien pre e dezinfomatave. Dezinformatat dhe protesta e paralajmëruar kundër vendosjes së laurave nuk janë protesta për të mbrojtur drejtën e pronës private, sikur pretendohet sepse këtë drejtë çdo qytetar i Republikës së Kosovës e ka të garantuar me ligj, por qëllimi i vërtet i tyre është përkrahja e dukurive dhe veprimeve të kundërligjshme, ilegale dhe pengimi i vendosjes së rendit dhe ligjit në Parkun Kombëtar që është në interes të përgjithshëm qytetar dhe institucional.
Këshillohet komuniteti lokal që të mos bien pre e desinformatave dhe propagandave keqdashëse për interesa personale të individëve të caktuar por informatat të merrën nga institucionet relevante shtetërore të cilët janë në shërbimin dhe përkrahjen e tyre. Në dispozicion për takime me përfaqësuesit e komunitetit lokal për të ofruar informata shtesë lidhur me projektin e laurave janë edhe menaxhmenti i lartë i MMPH.