25 August 2026
Ky hulumtim është realizuar në kuadër të projektit të koordinuar nga organizata italiane Tetide APS dhe të mbështetur nga Unioni Ndërkombëtar i Speleologjisë.
Qëllimi kryesor i projektit ishte hulumtimi dhe vlerësimin e përhapjes së llojit invaziv Procambarus clarkii (Gaforrës së kuqe të Luizianës) në sistemet karstike dhe nëntokësore, me qëllim mbrojtjen e biodiversitetit vendor dhe hartimin e masave për menaxhimin dhe mbrojtjen e habitateve të ndjeshme.
Po ashtu promovimi i shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, me synimin e përmirësimit të vazhdueshëm të strategjive të monitorimit dhe kontrollit. Projekti ka ndikuar në promovimin e eksplorimit, studimit dhe mbrojtjes së shpellave dhe sistemeve karstike.
Ky projekti jo vetëm që kishte qëllim kontributin në ruajtjen e ekosistemeve nëntokësore, por ka ofruar gjithashtu një mundësi unike për bashkëpunim arsimor, teknik dhe shkencor midis vendeve pjesëmarrëse me ekspertë të biodiversitetit, biologë dhe institucione shkencore.
Procambarus clarkii konsiderohet një nga llojet invazive më problematike në Evropë sepse: konkurron me llojet vendase të gaforreve të ujërave të ëmbla; dëmton habitatet ujore duke gërmuar në brigje; transmeton sëmundjen crayfish (Aphanomyces astaci), e cila është shumë shkatërruese për gaforret autoktone evropiane; ndikon negativisht në biodiversitet, bujqësi dhe infrastrukturën ujore.
Gjatë periudhës së monitorimit të realizuar në tri lokacione të përfshira në studim si: Shpella e Panorcit, Shpella e Radacit dhe zona mbi Liqenin e Perlepnicës nuk u evidentua prania e Gaforres së kuqe të Luizianës.
Në Shpellën e Panorcit, monitorimi u zhvillua gjatë muajit shtator 2025 në një zonë me qasje mesatarisht të lehtë, me rrugë komunale dhe me habitat të vlerësuar si të pastër.
Në Shpellën e Radacit, aktivitetet u zhvilluan gjatë muajit tetor 2025 në kushte më të vështira aksesi, në një zonë burimore të karakterizuar si e pastër. Ndërsa në zonën mbi Liqenin e Perlepnicës, monitorimi është realizuar në pranverë konkretisht gjatë muajit maj 2026 e cila evidentoi praninë e ndotjes së dukshme në terren, por pa regjistruar praninë e llojit invaziv.
Në bazë të të dhënave të hulumtuara ne terren, rezulton se deri në këtë fazë të hulumtimit nuk është konfirmuar prania e këtij lloji invaziv në lokacionet e monitoruara në Kosovë. Megjithatë, duke qenë se hulumtimi është i kufizuar vetëm në disa pika mostrimi, nevojitet vijimi i monitorimit për një vlerësim më të plotë të shpërndarjes së mundshme të llojit dhe të kushteve habitatore në ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore.
Për më shumë detaje Hulumtim preliminar i përhapjes së llojit invaziv Procambarus clarkii në ujërat nëntokësore në Kosovë.