13 October 2026
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit (SEPA) dhe Institutin e Kosovës për Administratë Publike (IKAP), po zhvillojnë trajnimin për ngritjen e kapaciteteve në fushën e komunikimit profesional, shkathtësive të buta, menaxhimit të ueb-faqeve, rrjeteve sociale dhe koordinimit ndërinstitucional për mbrojtjen e natyrës.
Trajnimi synon të avancojë aftësitë profesionale të pjesëmarrësve në komunikimin institucional dhe publik, me fokus të veçantë në Parqet Kombëtare dhe Natura 2000, informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut dhe përdorimin efektiv të kanaleve bashkëkohore të komunikimit.
Gjatë trajnimit pjesëmarrësit do të marrin përvoja edhe nga ekspertët e komunikimit nga Agjencia e Mjedisit të Suedisë për temat si menaxhimi i ueb-faqeve, rrjetet sociale, planifikimi i publikimeve, elementet vizuale, angazhimi i audiencës, Inteligjenca Artificiale dhe koordinimi ndërinstitucional.
Pjesë e programit të trajnimit janë edhe ushtrimet praktike për krijimin e përmbajtjeve të përshtatura për audienca të ndryshme dhe promovimin e vlerave të Parqeve Kombëtare të Kosovës.
Pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë të pjesëmarrjes nga IKAP, në përputhje me procedurat përkatëse.