13 November 2026
Ruajtja e gjitarëve të egër dhe e habitateve të tyre kërkon njohuri të besueshme për praninë, shpërndarjen, gjendjen e popullatave dhe faktorët që ndikojnë në mbijetesën e tyre. Sigurimi i këtyre njohurive mbështetet në monitorimin e planifikuar e të vazhdueshëm, zbatimin e metodave të përshtatshme dhe vlerësimin profesional të dhënave.
Në këtë funksion, ky udhëzues përcakton orientimet teknike dhe metodologjike për monitorimin dhe ruajtjen e llojeve të gjitarëve të egër në Kosovë si: rrëqebullit, ariut, ujkut, maces së egër, kaprollit, dhisë së egër, lepurit dhe derrit të egër. Dokumenti mbështetet në të dhënat e mbledhura dhe në përvojën e fituar gjatë aktiviteteve të monitorimit në parqet kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”.
Pjesa e përgjithshme e dokumentit trajton planifikimin e aktiviteteve, përcaktimin e objektivave dhe të treguesve, organizimin e punës në terren, administrimin e të dhënave dhe përdorimin e rezultateve për ruajtjen e faunës. Aktivitetet e monitorimit mbi të cilat mbështetet dokumenti janë realizuar nga OJQ “ERA”, në bashkëpunim dhe me mbështetjen profesionale të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.
Të dhënat e mbledhura në terren administrohen nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, përmes përpunimit, vlerësimit dhe përdorimit në raportimin mbi gjendjen e natyrës, si dhe për plotësimin e bazës së të dhënave për faunën në kuadër të Sistemit të Informacionit Mjedisor të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Prandaj, bashkëpunimi me administratat e parqeve kombëtare dhe me profesionistët e terrenit është i rëndësishëm për vazhdimësinë e monitorimit, verifikimin e vrojtimeve dhe lidhjen e rezultateve me nevojat konkrete të ruajtjes dhe menaxhimit të shtazëve.
Rezultatet e monitorimit duhet të lidhen me masa konkrete për ruajtjen e llojeve dhe të habitateve të tyre. Ato mund të ndihmojnë në identifikimin e zonave me rëndësi për ushqim, riprodhim, strehim dhe lëvizje, evidentimin e fragmentimit të habitateve, shqetësimit nga aktivitetet njerëzore dhe presioneve të tjera. Mbi këtë bazë, informacioni përdoret për përcaktimin e prioriteteve të menaxhimit, orientimin e masave parandaluese dhe vlerësimin e efektivitetit të ndërhyrjeve.
Monitorimi krijon lidhje të vazhdueshme ndërmjet njohjes së gjendjes, ndërmarrjes së masave dhe rivlerësimit të rezultateve të tyre. Krahas metodave të zbatuara në Kosovë, udhëzuesi përfshin qasje dhe praktika të përdorura në vendet evropiane. Përshtatja e tyre duhet të marrë parasysh qëllimin e programit, veçoritë e llojit, kushtet e terrenit dhe burimet në dispozicion.
Udhëzuesi do të ju shërbej institucioneve qendrore dhe lokale, administratave të zonave të mbrojtura, organizatave mjedisore, studiuesve dhe profesionistëve të angazhuar në monitorimin dhe ruajtjen e gjitarëve të egër. Ai synon të lehtësojë bashkërendimin e aktiviteteve dhe të rrisë përdorimin e të dhënave në planifikim, raportim dhe vendimmarrje.
Për më shumë shihni Udhëzues për monitorimin gjitarëve të egër në Kosovë